LAJME

Ana Bërnabiq me letër propagandistike kundër avancimit të Kosovës në NATO

Ana Bërnabiq me letër propagandistike kundër avancimit të Kosovës në NATO
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Maj 2024, 11:18

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet që nga sot në Sofje të Bullgarisë.

Për avancimin e Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate, kundër është shprehur Serbia.

Kryetarja e kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq ka dërguar një letër ankese krerëve të të gjithë delegacioneve të anëtarëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Siç shkruan Tanjug në letrën e Bërnabiqit, shkruhet se avancimi i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s nga anëtar vëzhguese në anëtar të asociuar të kësaj organizate “do të ishte një shpërblim për dhunën kundër serbëve”.

“Serbia shpreh kundërshtimin e saj të fortë ndaj mundësisë që Kuvendit të Kosovës t’i jepet statusi i një anëtari të asociuar, ndërsa ne përgjithësisht mirëpresim përpjekjet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të përmirësuar dialogun, për t’i forcuar partneritetet dhe për të rritur numrin e partnerëve me të cilët bashkëpunon. Megjithatë, dëshiroj të kujtoj se kjo është një çështje veçanërisht delikate që kërkon një shqyrtim shumë të kujdesshëm, duke pasur parasysh pasojat e mundshme negative politike dhe të sigurisë më gjerësisht”, thuhet në letër.

Në letër, ndër tjerash, Bërnabiq u ankua se serbët në Kosovë po diskriminohen.

Sipas saj, kushtet në Kosovë kanë rezultuar në largimin e më shumë se 15 për qind të popullsisë serbe, shkruan Klankosova.tv

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika