Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.Q., i cili gjendet në paraburgim nga data 15.08.2024 deri me datë 15.11.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 371 paragrafi 4 lidhur me par.1 dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par.2 lidhur me par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 15.08.2024 rreth orës 06:15min, në rrugën Suharekë – Prizren, saktësisht në vendin e quajtur “Ura e Topliqanit” në Komunën e Suharekës, i pandehuri B.Q., duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes”, në kundërshtim me Ligjin Nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, drejton automjetin pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit, me sasi të alkoolit në ajër prej 0.68 promila, ashtu që në këtë gjendje të dehur sa ishte duke lëvizur përgjatë rrugës Suharekë – Prizren, me të kaluar vendin e quajtur “Ura e Topliqanit”, në kthesën e ashpër në të djathtë nuk e përshtatë shpejtësinë e lëvizjes, humb kontrollin e automjetit dhe kalon në shiritin e kundërt të rrugës, dhe godet veturën tjetër të tipit “Audi 89” të cilën ishte duke e drejtuar tashmë i ndjeri A.Q., i cili mbetet i vdekur në vendin e ngjarjes, përderisa pasagjeri B.G., i cili ishte në veturën e të pandehurit pëson lëndime të rënda trupore, të përshkruara sikurse në akt ekspertimin mjeko – ligjor.





