Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave për rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kultivuar 175 bimë “kanabis sativa” në dy banesa në lagjen “Dardania”, të pajisura me llamba profesionale, sisteme ventilimi dhe pajisje të tjera mbështetëse. Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas nenit 272 të KPRK-së.
Nëntë të pandehurit, mes të cilëve D.M., E.M., M.S. dhe A.S., akuzohen gjithashtu për përgatitje dhe shpërndarje të lëndës narkotike, përmes tharjes, paketimit dhe shitjes së kanabisit dhe kokainës. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 451.91 gram kokainë, para të gatshme, pajisje për peshimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe dy vetura. Një nga të pandehurit, K.R., akuzohet se ka shkëmbyer 2 kg marihuanë për një veturë “Audi A6”.





