Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se është pro një marrëveshjeje politike që do të zhbllokonte situatën dhe do të garantë stabilitet, duke thënë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin të dëmshme.
Nisma ka shkruar në Facebook pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile se zgjedhjet e reja do të cenonin të ardhmen politike dhe demokracinë, si dhe shtoi se “në emër të demokracisë nuk mund të justifikohet dëmtimi i interesit të vendit”.
“Demokracia nuk nënkupton shkatërrim institucional, por zgjidhje politike përmes marrëveshjes. Siç kam deklaruar edhe më parë publikisht, NISMA Socialdemokrate ka ofruar partneritet në kuadër të Kuvendit për të garantuar funksionalitet institucional. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që e zhbllokon situatën dhe garanton stabilitet”, thuhet në njoftimin e Nismës.
Po ashtu, kjo parti që në zgjedhjet e 9 shkurti arriti t’i fitonte tre deputetë, ka shtuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe lidership që merr përgjegjësi.
“Pajtohemi se bllokimi i institucioneve është i papranueshëm dhe çdo tentim për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak të dështimit për të formuar institucionet është i dëmshëm për vendin. Kjo është një dukuri që e cënon të ardhmen politike dhe demokratike të shtetit tonë. Në këtë takim theksova se në emër të demokracisë nuk mund të justifikohet dëmtimi i interesit të vendit”, thuhet tutje.