Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, partia e tij si opozitë, mund ta mbështesin Qeverinë e Kosovës me në krye Albin Kurtin nëse ky i fundit e mbështetë veten e tij.
I ftuar në DESKU të KTV-së, Hoxhaj shton se në këtë kohë elita politike duhet ta shtyjë debatin për dialogun jo në kuptimin e narrativës që ka ekzistuar nga viti 2015, duke përmendur Asociacionin si një pikë që tregon korrigjim të kufijve.
Sipas tij, Qeveria do të duhej të planifikonte vitin 2022, si një vit që do të arrihej marrëveshja me njohje të ndërsjellë.
“Ne mund ta mbështesim z.Kurti dhe Qeverinë nëse ai mund ta mbështesë veten e tij. Çka kam vrejtur prej z.Kurti, aq sa ka qenë në opozitë e ka pasur motivin e shpëtimtarit për dialogun, ndërsa tani e ka ndjenjën e frikës. Me këtë ndjenjë e ka vendosur dialogun në një paralizë të mirëfilltë politike dhe përmbajtësore, duket se ka krijuar një lloj bllokade personale emocionale që të mendoj më shtruar se në çfarë forme mund të lëvizë me dialog. Ne mund të bëjmë analizë të gjatë pse nuk është formuar asociacioni. Në vitin 2022 si elitë politike mendoj që mund ta shtyjmë debatin jo në kuptimin e një narrative që kemi pasur nga viti 2015, unë nuk mendoj që duhet të shkojmë përpara me mitet e Asociacionit për korrigjim të kufirit. Qeveria do të duhej të shkonte në negociatat jo më për targa, për temën e energjetikës në veri, për të pagjeturit. Qeveria do të duhej të planifikonte 2022-tën si një vit ku ne do të duhej të arrinim një marrëveshje me njohje të ndërsjellë, pa etiketa që i kemi në Prishtinë, pa mitet urbane që Asociacioni do të jetë ky, korrigjimi i kufijve do të jetë ky”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ftoi Kurtin që ta marrë seriozisht dialogun dhe pritjet që kanë partnerët ndërkombëtarë nga Qeveria në mënyrë që të përmbyllin shtetndërtimin e Kosovës.