Me 30 minuta vonesë, ka nisur tubimi përmbyllës i Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se partia e tij është model për qeverisje, për rimëkëmbje, për rritje të pagave dhe krijimit të vendeve të punës.
Para elektoratit prizrenas, Hoxhaj ka thënë se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë edhe qeverisje e keqe, duke kritikuar kryetarin Mytaher Haskuka, që s’ka arritur as ta largojë bërllogun e qytetit.
“Në këto zgjedhje ka dy modele, një model është rimëkëmbja e që është aleancë politike me qytetarin dhe një model tjetër, modeli i Vetëvendosjes i cili është model autoritar i shamijave të kuqe, është model i keqqeverisjes në nivel lokal. Haskuka nuk ka qenë në gjendje as ta heq bërllogun e leje të qeveris, ai s’ka qenë në gjendje as qentë endacak t’i largojë nga rruga, prandaj dy modele janë në këto zgjedhje. Po shihni që kryetarët e komunave i fyen i shajnë e ofendojnë kryetarët e Kosovës dhe e keni modelin e Partisë Demokratike, modeli i rimëkëmbjes që nënkupton rritje të pagave, krijim të vendeve të punës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka thënë se PDK-ja është përballur me padrejtësi që nga 5 nëntori, kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ishin ftuar nga Gjykata Speciale.
“Ne jemi parti që ka lindur e është rritur në stuhi dhe është ballafaquar me padrejtësi. Në këto zgjedhje për hir të Thaçit e Veselit, është çuar për ta mbështetur PDK-në. Unë po shoh këtu përveç kandidatëve të veçantë edhe veteranëve të luftës e ish të burgosur politik, po shoh deputetë ish deputetë e ministra, kjo tregon që PDK-ja është parti me histori që ka rrënjët e thella dhe kushdo që bënë përpjekje ta rrëzojë është e kotë”, ka thënë tutje Hoxhaj.
Kreu i PDK-së në këtë Komunë, Shaqir Totaj, ka ftuar elektoratin e pranishëm që të dalin dhe ta votojnë këtë parti më 14 shkurt.
“Ju dëshiroj mirëseardhje, prezenca e juaj masovike këtu e ka vetëm një mesazh, se ne fare nuk kemi dilema se në çka po lëvizim. Po lëvizim së bashku drejt Rimëkëmbjes. Nga ju pres dhe apelojë që me 14 shkurt të dalim të votojmë e te përkrahim programin për rimëkëmbje dhe kandidatit për kryeministër. Se kjo nuk është vetëm një fitore, Kosova do te shkojë bashkë në rrugën e çlirimit”, ka thënë Totaj.