Zëvendëskryeministri i tretë në detyrë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili mbahet nesër në Prishtinë, në prag të vendimit që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Damka, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), përmes një deklarate ka theksuar rëndësinë e sakrificave të bëra gjatë luftës për lirinë e Kosovës.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificave të mëdha, çmimit të rëndë që kemi paguar dhe luftës historike që shpërfaqi vullnetin e një populli për liri”, ka shkruar Damka.
Ai ka shprehur pritshmërinë që vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë të jetë në përputhje me drejtësinë dhe paanësinë.
“Pritshmëria dhe urimi ynë më i madh është që vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë, në përputhje me drejtësinë dhe paanësinë, të përfundojë me lirim”, ka deklaruar Damka.
Ai ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit, i cili do të nisë nesër në orën 14:00 në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një mundësi për të shfaqur në mënyrë paqësore unitetin dhe vendosmërinë për liri e drejtësi.
“Nesër në orën 14:00, në Marshin për Liri që do të mbahet në Prishtinë, bashkë me të gjithë popullin tonë do të shfaqim në mënyrë paqësore unitetin, bashkimin tonë, si dhe besimin e vendosmërinë tonë për liri dhe drejtësi”, thuhet në deklaratën e tij.
Sipas Damkës, marshi do të jetë një tjetër mundësi për të shprehur vullnetin e përbashkët dhe përkushtimin ndaj luftës për liri.
“Për drejtësinë, për lirinë, do të marshojmë së bashku”, ka përfunduar ai.