Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, njëherësh kandidat për postin e kryeministrit Enver Hoxhaj ka prezantuar sot aderimin e analistit Faton Abdullahu në këtë parti.
Ai me këtë rast tha se PDK si subjekt i madh politik po hapet edhe për intelektualët jashtë partisë, të cilët do ta kenë vendin e merituar në këtë parti.
“Kosova po kalon në faza të vështira politike. Shteti ynë, i ndërtuar mbi shumë sakrifica, sot gjendet në udhëkryq të madh politik, ekonomik dhe social. E kërcënuar së brendshmi nga popullizmi dhe qeverisja e dobët, dhe së jashtmi nga goditja ndaj UÇK-së dhe shtetësisë.. dhe asnjëherë nuk ka pasur nevojë më shumë se sa vitet e fundit që Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës”, tha ai.
Hoxhaj tha se për ta parandaluar zhbërjen e shtetit, PDK-ja do të garojë në këto zgjedhje në aleancë të gjerë me qytetarët dhe ekspertët e fushave të ndryshme që mund ta ndihmojnë vendin në këto momente vendimtare.
“PDK-ja po kthehet edhe një herë te baza, po dëgjon pulsin e qytetarit, po i ndjen kërkesat e tij dhe po e krijon një bllok të gjerë opozitar për ta parandaluar zhbërjen e shtetit dhe kthimin e shtetit në binarët e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë. Blloku i madh opozitar i koalicionit mes PDK-së dhe qytetarit është garancia e vetme për ta ruajtur shtetin dhe mbi të gjitha është forca e vetme për ta rimëkëmbur Kosovën edhe në planin politik edhe atë ekonomik dhe kombëtar”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se Faton Abdullahu do të jetë pjesë e listës për deputet, ndërsa thotë se edhe nuk do të ketë persona me aktakuza në Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka ftuar edhe partitë tjera ta respektojnë vendimin e Kushtetueses që të mos kenë persona me aktakuzë në zgjedhjet e reja parlamentare.
“Abdullahu i bën nder të madh listës së Partisë Demokratike të Kosovës me të cilën garojmë në këto zgjedhje dhe është prej emrave më emblematikë të mendimit politik në Kosovë dhe do të jetë pjesë e listës… Te përbërja e listës natyrisht që ne do të respektojmë kodin etik, i cili ka qenë meritë e kryetarit të partisë, Veselit. Integriteti i listës dhe listës me duar të pastra do të jetë kriter kryesor për të gjithë ata që hyjnë në listën e PDK-së, dhe presim që partitë tjera politike nuk e kanë marrë këtë praktikë në të kaluarën, ta marrin në konsideratë ose do të jenë të detyruar për shkak të Gjykatës (Kushtetuese) që ta marrin në konsideratë”, ka thënë Hoxhaj.