Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se lidhjet e forta dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj popullit të Kosovës, ekziston që nga presidenti Clinton, Bush, Obama, Biden dhe presidenti Trump.
Hovenier i bërë këto komente në ceremoninë e organizuar pranë shtatores së ish-presidentit Clinton, në Prishtinë, ku edhe u shënua Dita e Presidentit Amerikan.
Ai ka theksuar se SHBA-ja ka lidhje të fortë me shtetin e Kosovës. “Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e presidentit Clinton”, theksoi Hovenier.
Kurse, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shënimi i Ditës së Presidentit Amerikan në Prishtinë, shënon edhe frymën e demokracisë që ata përfaqësojnë dhe bujarisht e kanë ndarë me botën, e që sipas saj e ka pasur një ndikim të thellë në rrugëtimin e Kosovës si vend.
“Shumë presidentë amerikanë kanë luajtur një rol kyç në këtë rrugëtim, duke kuptuar se kërkimi për liri dhe demokraci i kapërcen kufijtë gjeografikë. Vitin e kaluar fola për presidentin Klinton dhe përkushtimin e tij ndaj popullit të Kosovës, duke refuzuar të rri duarkryq dhe të shikojë njerëzit e pafajshëm që vuajnë. Ai u bë zëri ynë kur dekada të tëra shtypjeje dhe diskriminimi kulmuan në një luftë gjenocidale kundër nesh. Sot ktheva faqen në një kapitull tjetër, një kapitull për Presidentin Biden, presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, një njeri udhëtimi i të cilit nga sallat e Senatit në korridoret e Zëvendës Presidentit, dhe tani deri në kulmin e lidershipit si President i SHBA-së është shënuar nga një miqësi e fortë me vendin tonë dhe popullin tonë, veçanërisht gjatë momenteve kryesore që kanë formësuar trajektoren tonë. Mbështetja e Presidentit Biden është një dëshmi e vërtetë e lidhjeve të thella të miqësisë që kanë përcaktuar prej kohësh partneritetin tonë. Ai jo vetëm që i kupton aspiratat tona për liri dhe demokraci, ai qëndron krah për krah me ne në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të forcuar këto ideale”, tha ajo.
Sipas saj, që nga lufta jonë për liri dhe pavarësi e deri te ndërtimi i institucioneve, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë Kosovës, duke ofruar mbështetje, udhëzime dhe miqësi./KP