Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenier për REL-in.
Ambasadori amerikan shtoi se Serbia duket se ka vizion tjetër, por kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta çojë përpara një asociacion që i adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”.
“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, ka thënë Hovenieri.
Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij qëllimi strategjik.
Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.
“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”, thotë Hovenier.
Ambasadori amerikan theksoi po ashtu se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja. /REL