LAJME

Hoti takohet me Kryeministrin Italian Conte, kërkon prani më të madhe të investitorëve italian në Kosovë

Hoti takohet me Kryeministrin Italian Conte, kërkon prani më të madhe të investitorëve italian në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Nëntor 2020, 16:11

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, është takuar sot në Romë me kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte.

Kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës. Kryeministri Hoti ka kërkuar nga Kryeministri Conte mbështetjen e Qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, thuhet në një njoftim të zyrës për Informim të Kryeministrit.

Kryeministri Hoti me homologun italian Conte, kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes. Duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it, Kryeministri Hoti ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës që në një të ardhme sa më të shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës Veri Atlantike dhe ka kërkuar mbështetje për rritjen e kapaciteteve të FSK-së.

Gjatë takimit me Kryeministrin e Italisë Giuseppe Conte, Kryeministri Hoti ka insistuar po ashtu në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italian në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit.

Temë e veçantë diskutimi ka qenë bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë Covid -19. Kryeministri Hoti, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarak italian që po qëndrojnë në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovar, në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë që ka theksuar solidaritetin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me familjet e viktimave nga Covid-19 në Itali.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika