Kryeministri i vendit Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një vizitë në Krushë të Madhe në vendin në të cilin janë kryer krime lufte, duke lënë gratë pa burra e nënat pa djem.
Ai ka thënë se vizitën në këtë vend e bënë duke qenë se është i veçantë. Ai ka shtuar se duan ta nderojnë dhe të shprehin respektin për të gjithë të pagjeturit, dhe për t’iu treguar familjeve që ende presin më të dashurit e tyre, e të paktën ta kenë një varrë për ta, se janë duke punuar intesivisht që të zbardhet secili rast.
“Jemi në një vend të veçantë, për të treguar respektin, nderimin për të gjithë të pagjeturit, për t’iu treguar familjarëve të tyre se do tu qëndrojmë afër, deri në përmbylljen komplet të kësaj çështje. E kemi vendosur këtë temë në rend të parë, duke dinamizuar këtë çështje”, tha Hoti.
Ndërsa Ramë Manaj, kryesues i Komisionit Qeveritarë për Persona të pagjetur, deklaroi se nga mbi 6 mijë persona të zhdukur sa ishin në fillim të pasluftës, tash numri i tyre është 1 mijë e 638 persona, ndërsa këtë vit brenda Kosovës janë indetifikuar 11 mbetje mortore, e në Serbi, janë hapur pesë varreza.
“Meqenëse jemi në Krushë, këto dy Krusha, janë lokacione ku Serbia i ka bërë krimet më të mëdha, natyrisht pas Mejës, jo rastësisht, kjo pjesë është shumë punëtore, shumë të vyeshëm, ata që Serbisë i prishën planet më së shumti. Respektit për të rënët mbetet gjithmonë.”, tha Manaj.
Ai deklaroi tutje se me mbështetje të Hotit, kanë pasur një përparim të dukshëm këtë vit kur bëhet fjalë për të pagjeturit.
Masakra u krye më 25 mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO dhe la rreth 243 viktima, ndërsa 63 nga viktimat mbeten të zhdukura