Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka thënë se pas më shumë se një viti negocimi në Bruksel, Serbia e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur.
Hoti tha se për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vjetësh, u arrit që Serbisë t’i imponohet adresimi i drejtë i përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.
“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, është shprehur Hoti.





