LAJME

Hoti kundërshton kandidaturën e Bekim Sejdiut për President: Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter

Hoti kundërshton kandidaturën e Bekim Sejdiut për President: Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Gusht 2026, 13:09

Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Hoti ka thënë se kundërshtimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me, siç e ka cilësuar, një parim politik dhe institucional.

Sipas tij, Presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

“Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i LDK-së ka deklaruar gjithashtu se kandidatura nuk pasqyron, sipas tij, interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.

Hoti ka kritikuar edhe mënyrën e arritjes së kësaj zgjidhjeje, duke thënë se ajo krijon përshtypjen se LDK-ja ka penguar kandidatura të tjera politike për t’i hapur rrugë një kandidature që, sipas tij, mbetet politike.

Ai ka kërkuar nga LDK-ja një qëndrim të qartë dhe të pavarur, duke theksuar se partia nuk duhet të mbështesë një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike.

“Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka deklaruar Hoti.

Në fund, ai ka theksuar se qëndrimi i tij nuk është çështje individësh, por, siç ka thënë, çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë ndaj votuesve të LDK-së.

“Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”, ka përfunduar Hoti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika