Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga qeveria e ka rritur panikun tek qytetarët.
Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se një qeveri e përgjegjshme duhet të informojë qytetarët në detaje për situatën e energjisë.
“Një qeveri e përgjegjshme duhet të informojnë qytetarët në detaje: sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit, sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore, sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie, a mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë, sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit, sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet, sa buxhet duhet ndarë për subvencionim të energjisë për familjet në asistencë sociale, çfarë mund të bëhet bashkë me komunat për familjet e tjera më në nevojë për mbështetje etj”, ka shkruar Hoti.
Tutje ai theksoi se një plan i tillë do kishte kuptim dhe do të mbështetej nga të gjithë.





