Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kreshnik Gashit, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media. Ndërkaq nuk janë dhënë më shumë detaje se pse i është kërkuar dorëheqja e tij.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, është ftuar nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të raportojë në lidhje me raportimet se inspektorë të AKI-së kanë tentuar të marrin disa dokumente konfidenciale nga kasaforta e Presidencës së Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, ishte ftuar nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të raportojë në lidhje me raportimet se inspektorë të AKI-së kanë tentuar të marrin disa dokumente konfidenciale nga kasaforta e Presidencës së Kosovës. Edhe pas mbajtjes së takimit, deputetët nuk kanë dhënë detaje se çfarë është diskutuar.
Gashi, ishte emëruar në 2019-n nga Ramush Haradinaj, kur ishte kryeministër në detyrë.
Gashi deri atëherë e kishte mbajtur postin e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Në nenin 5.3 të Kushtetutës thuhet se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, ndërsa në nenin 5.4 thuhet se drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.
KOHA ka kërkuar sqarim nga Presidenca lidhur me kërkesën e Hotit, pasi sipas Kushtetutës, shkarkimi bëhet vetëm pas koordinimit me presidentin, në këtë rast me u.d. së presidentes, Vjosa Osmani.