Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka njoftuar se është publikuar Thirrja Publike për Ofrimin e Programeve të Zhvillimit të Aftësive për përfituesit e Programit të Ndihmës Sociale, me synim lehtësimin e integrimit të tyre në tregun e punës.
Hoti ka bërë të ditur se përmes kësaj nisme synohet që qytetarëve të aftë për punë t’u krijohen mundësi konkrete për të fituar një profesion, për t’u punësuar dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.
“Sot kemi publikuar Thirrjen Publike për Ofrimin e Programeve të Zhvillimit të Aftësive për Përfituesit e Programit të Ndihmës Sociale, me qëllim që të lehtësojmë integrimin e tyre në tregun e punës. Synimi ynë është i qartë, qytetarëve të aftë për punë t’u krijojmë mundësi reale për të fituar një profesion, për t’u punësuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për familjet e tyre. Gjatë zbatimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale kemi identifikuar se një pjesë e përfituesve kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm të shkathtësive profesionale dhe për programe trajnimi të përshtatura me kërkesat e tregut të punës”, thuhet në postim.
Tutje ai ka shkruar se trajnimet do të organizohen në profesione që kërkohen realisht në tregun e punës, në të shtatë rajonet e Kosovës.
“Ato do të përmbajnë së paku 200 orë mësim teorik dhe praktik, certifikim profesional, si dhe mbështetje konkrete për punësim. Ftoj të gjithë ofruesit jopublikë të trajnimeve, të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ose nga institucione ndërkombëtare të akreditimit, që të aplikojnë deri më 7 gusht 2026, në orën 16:00. Kjo reformë krijon një qasje tjetër të shtetit ndaj mbrojtjes sociale. Nga mbështetja vetëm për të përballuar muajin, te krijimi i mundësive për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, ka shkruar Hoti.