LAJME

Hoti del me propozime për Qeverinë Kurti për ta luftuar inflacionin

Hoti del me propozime për Qeverinë Kurti për ta luftuar inflacionin
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Janar 2024, 11:20

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur disa statistika të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ndër tjera, theksohet se 43.4 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund të përballojnë një shpenzim prej 100 eruove nga burimet e veta.

Hoti, përmes një shkrimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, thotë se shkaktari është inflacioni. Ka bërë thirrje te Qeveria e Kosovës se duhet indeksim të pensioneve dhe asistencës sociale së paku aq sa ka qenë inflacioni.

Postimi i plotë:

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës:

– 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake;

– 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun;

– 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare;

– 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat.

Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni. Por, thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet.

E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë.

Zgjidhja është: (1) indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe (2) zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika