Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se vendimi i Qeverisë për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, ka kosto mbi 50 milionë euro, por se prapë nuk e zgjidh problemin.
Këtë deklarim Hoti e ka bërë ne seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet Projekt-buxheti për vitin 2024. Hoti ka propozuar amandament për indeksimin e pensioneve dhe skemave pensionale.
Hoti tha se përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rritur nga 38 në afër 60 përqind dhe se shtesa prej 100 euro e zgjidh problemin e familjeve vetëm për një vikend.
“Ne e pamë dje një vendim që e ka marrë Qeveria që buxhetit të Kosovës i kushton mbi 50 milionë euro dhe nuk e zgjidh problemin. Para dy viteve, ju kemi dhënë rekomandime këtu në këtë Kuvend kur kemi pas debat parlamentar për shkak të inflacionit që të indeksohen pensionet dhe skemat sociale në mënyrë që së paku të mbrohet shtesa më e ndishme e kësaj shoqërie dhe tash merren vendime në qeveri duke shfrytëzu buxhetin e fundvitit të cilat e zgjidhin problemin e këtyre familjeve vetëm për një vikend të vetëm. Ndërkohë, që ky amanament kërkon që të indeksohen për normën e inflacionit dhe të mbrohet fuqia blerëse e këtyre familjeve”.
“Raporte kredibile vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se numri i familjeve në varfëri është rrit me 10 përqind për shkak të inflacionit të lartë në dy vitet e fundit. Përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rrit nga 38 në afër 60 përiqnd, prandaj kjo është e domosdoshme që të bëhet zgjidhje afatgjate. Prandaj ky amandament mundëson që të zgjidhet problemi më afatgjatë e jo me ndihma të njëhrshme që e zgjidhin problemin e këtyre familjeve veç për një vikend”, ka deklaruar Hoti.
Por, amandamenti i tij nuk gjeti mbështetje, ku vetëm 22 deputetë e përkrahën, 56 votuan kundër dhe tre abstenuan.