Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka bërë të ditur se IPK-ja është duke e hetuar konkursin e fundit për gradimin e rreshterëve në Policinë e Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve dhe dyshimeve për parregullsi në këtë konkurs, Hodaj ka thënë se IPK-ja, pas ankesave dhe shqetësimeve tjera publike ka krijuar një grup hetimor në lidhje me këtë rast. Ai ka thënë se do të hetohet edhe nëse gjenerata 2/54 kishin të dejtë konkurrimi në konkurs.
Me këtë rast, Hodaj ka paralajmëruar se në lidhje me rezultatet e hetimeve, IPK-ja do të dal me një raport publik.
“Ne si IPK kemi pranuar një numër të ankesave. Ende nuk kemi raport pasi vetëm javën e kaluar është krijuar një ekip hetimor dhe inspektues. Një prej çështjeve që do të trajtohet është edhe nëse gjenerata 54 kishin të drejtë konkurrimi”- tha Hodaj, më 13.05.2024.
Hodaj i është përgjigjur deputetëve edhe rreth hetimeve të kryera nga Njësia e Veçantë e Hetimeve (ish- Task forca), veçanërisht lidhur me çështjen e hetimit të rezervave shtetërore, çështje që në fakt, shkaktoi edhe përplasje verbale mes deputetëve. Deputeti Enver Dugolli (LVV) ngriti dyshime nëse hetuesit që e kanë hetuar çështjen e rezervave shtetërore kanë qenë të pajisur me certifikata të sigurisë, siç parashihet me ligj, pasi sipas tij, certifikata e sigurisë konfidenciale është e një niveli me të ulët.
Hodaj tha IPK-ja ka evidentuar se hetuesi kishin certifikatë të nivelit konfindencial. Raporti, sipas tij, i është përcjellë edhe Prokurorisë së Shtetit.
“Ju e paskit ba punë tuaj, është në dorën e tjetër kujt, pra prokurori ka dalë mbi ligjin”- tha Dugolli duke iu drejtuar Hodajt.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Rashit Qalaj. “Është konstatim i juaji personal. Mos i keqpërdor mediat- është konstatim i juaji personal. Në cilin ligjin, në cilin nen [thirreni]. Nuk është ashtu”- i ka thënë Qalaj Dugollit. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti Bekë Berisha. (AAK). “Ky Ridvan Muharremi, ky furraxhia a ka asi të sigurisë. Ky furraxhia që i ka pështjellur gjithë këto punë a duhet me pas qasi konfidenciale”- ka pyetur ai.
Hodaj i është përgjigjur pyetjeve tjera lidhur me punën IPK-së për inspektimet e stacioneve të ndryshme të policisë, punës në terren dhe çështjeve të tjera që bien në kompetencë të tyre.
/KALLXO.Com/