Kosova të premten ka shënuar fitoren më të thellë prej se FFK-ja është bërë pjesë e UEFA-s e FIFA-s (2016). Është përfaqësuesja U17 e futbollisteve që ka fituar shumë thellë ndaj Gjeorgjisë në Luksemburg. Ndeshja e fazës kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm ka përfunduar 13:0 për Kosovën.
As për së afërmi ekipet përfaqësuese dhe skuadrat kosovare të futbollit nuk kanë shënuar fitore kaq të thellë deri më tani.
Kosova U17 është pjesë e grupit 1 të Ligës B të kualifikimeve për Euro 2022.
Më 27 shtator takohet me Bjellorusinë, ndërsa më 30 shtator me Luksemburgun.
Me sukses mund të kalojë në Ligën A për fazën e dytë kualifikuese, që ia hapë mundësinë për kualifikim në Evropian.
Dallimi në cilësi mes vajzave të Kosovës dhe atyre të Gjeorgjisë ishte shumë i madh.
Këtë e dëshmon rezultati i ndeshjes. Rinesa Alija, Rreze Gashi dhe Aurora Racaj kanë shënuar nga tre gola. Eriola Delija shënoi dy gola, ndërsa Bardha Gjonbalaj e Antigone Shabani shtuan nga një gol.