I ulur në krye të odës, së bashku me gruan e tij, Nazmijen, dhe fëmijët e tyre, Mehmet Hoti duket i gatshëm të tregojë historinë e tij të dhurimit të gjakut. Ai e filloi vetëm me bashkëshorten, për t’u shndërruar në një nismë ku bashkohet i gjithë fshati Ratkoc, i komunës së Rahovecit.
“Kam dhuruar gjak qysh para luftës, por pas luftës kur nevojat dhe kërkesat kanë qenë më të mëdha, kam dhuruar rregullisht. Kur na ndodhi një fatkeqësi familjare, vendosëm që të fillojmë të dhurojmë gjak ter familja. Grupi i gjakut që kemi ne si familje është i rrallë dhe shumë i vështir për ta siguruar”, kështu e ka filluar rrëfimin kryefamiljari Mehmet Hoti.
Kthimi pas në kohë e gëzonte shumë Hotin që tash është afër të gjashtëdhjetave.
Ai i tregoi Gazetës Nacionale se si e gjithë nisma për dhurimin e gjakut, kishte filluar në një odë të vogël, e ku ai tash po intervistohej.
Krenaria dhe mburrja në fytyrën e tij është lehtë e lexueshme, pasi me shumë pasion e tregon historinë se si një fshat i Rahovecit u bë qendra më e madhe e dhurimit të gjakut në Kosovë.
Madje, çdo 5 shkurt, i gjithë fshati bëhet bashkë për të dhuruar gjak. E pas secilës herë, ata i gostitë me drekë Mehmeti, që është edhe pronar i një gjellëtoreje.
Gjithçka filloi me rrethin e ngushtë familjarë, e tash, tregon Hoti, mbi 300 fshatarë i bashkohen çdo vit iniciativës për të dhuruar gjak.
“Ne filluam në këtë odë, më 5 shkurt erdhën nga transfuzioni i gjakut, dhuruam unë me gruan dhe familjarët e tjerë, këtu erdhi mësuesi Bilall Hoti, i cili më vonë na ndihmoi të zhvendosemi në hapësirën e shkollës. Në fillim, ne ishin 15 veta dhe sot jemi mbi 300”, tha Mehmeti.
E gjithçka filloi nga një tragjedi familjare, kur një familjar i tyre humbi jetën e në spital nuk kishte gjak të mjaftueshëm. E për të, u detyrua të jepte gjak e gjithë familja.
Në fakt, edhe në rang global, dhuruesit e gjakut janë të paktë. Sipas statistikave botërore vetëm 37% e popullsisë dhuron gjak brenda një viti.
Por, fshati Ratkoc ka dhuruar gjak edhe gjatë pandemisë, madje ka arritur të dhurojë plazmë gjaku për dy persona të prekur nga Covid-19, gjendja e të cilëve ishte e rëndë.
“Ne në fshat kemi një listë me grupin e gjakut dhe numrat e telefonit të të gjithëve, brenda fshatit ka njerëz që kanë grupin e rrallë të gjakut ku i dërgonim në çdo vend që kishte nevojë për dhurim gjaku. Kemi edhe raste të rënda që kemi shkuar me urgjencë për të dhuruar, kudo që na thërrasin ne jemi atje”, tha Mehmeti.
Për të kujtuar rastet kur duhej dhuruar gjak, ndërhyri Diana, vajza e Mehmet.
“Gjatë pandemisë kemi pasur dy raste ku na është kërkuar ndihmë. Dy persona nga fshati kanë dhuruar plazmë gjaku për dy pacientë me Covid, të cilët ishin në gjendje të rëndë. Edhe gjatë pandemisë kemi kërkuar që grupi i transfuzionit të gjakut të vijë në fshat, por për shkak të situatës që nuk kanë mundur të vijnë na është kërkuar që të shkojmë në Prishtinë. Ne i kemi dorëzuar të gjitha kontaktet në të gjitha qendrat kudo që ka nevojë jemi të gatshëm të dhurojmë gjak. Të gjitha grupet e gjakut janë në fshatin tonë”, tha rrufeshëm Diana.
Rregullat mjekësore u ndalojnë personave me probleme shëndetësore, si dhe të moshuarve të dhurojnë gjak.
Me këto rregulla nuk u pajtua mësuesi Bilall Hoti, i cili gjatë jetës së tij i dha mësim edhe ish-kryeministrit Abdullah Hoti.
Pavarësisht se ka 5 vite që nuk ka të drejtë të dhurojë gjak, ai është kujdesur që në datën 5 shkurt të jetë pranë bashkëfshatarëve që në momentin kur fillon dhurimi i gjakut, të i përkrahë dhe motivoj.
“Tani jam pensionist, nuk kam të drejtë të jap gjak, por çdo vit shkoj në mëngjes deri sa të mbarojë, radha është shumë e gjatë, ndodh që njerëzit kthehen pa dhuru, po kjo nuk i demotivon, presin për vitin tjetër ose kur ka nevojë me i thirrë. Po nuk janë vetëm banorët aktual, por edhe bijat, nipat e mbesat e fshatit vijnë më datën 5 shkurt. E nisëm këtu në oden ku jemi tani më pas në shkollë dhe tani jemi zhvendosur në sallën e sportit, pasi kërkesa ka qenë shumë e madhe për dhurim, shkolla nuk ka mundur me i përballu tanë njerëzit që kanë ardhur”, tha mësuesi tashmë në pension.
Sipas analizave shkencore, për çdo dhurim gjaku, shpëtohen 3 jetë. Ndërsa, në Kosovë janë rreth 28 mijë dhurues aktiv të gjakut.
Rreth 90 për qind të nevojave të pacientëve për gjak, në institucione publike shëndetësore në Kosovë, sigurohet nga dhuruesit vullnetarë të gjakut. Ndërsa nevojat për personat më grupin e radhë të gjakut sigurohen nga familjarët.
“Burri i motrës sime u aksidentua dhe ne kërkuam gjak për të, edhe pse gjaku i siguruar nuk ishte kismet për të, unë kam vazhduar të dhuroj gjak që nga ajo ditë, me burrin tim shkuam në një fshat të afërt, në fshatin Dejnë , ku me 5 janar dhurojnë gjak si fshat, ndërsa ne kemi vendosur me 5 shkurt. Kemi 15 vjet ku nuk jemi ndalur tani mund te them qe dhurojnë me shume femra se meshkuj”, tha zonja Nazmije Hoti, bashkëshortja e Mehmetit.
Familja Hoti tregon edhe momentet e bukura që përjetojnë secilin 5 shkurt, dita kur ratkocianët bëhen tok për të dhuruar gjak.
Diana, që jeton në Prishtinë, tregon se familja e saj e shtron një darkë falënderimi për vullnetarët.
“Qysh e kemi vitin e ri, ne mund të themi qe e kemi datën 5 shkurt”, tha Diana.
“Sot mund të them se është kënaqësi ku nuk ka nevojë të trokasim në dyer për të kërkuar njerëz për të dhuruar gjak, nuk kemi nevojë as për fletushka. Çdo vit më 5 shkurt të gjithë e dinë që në orën 9 të paradite fillon dhurimi i gjakut në sallën e sportit. Para orës 9 fillojnë të mblidhen fshatarët, ndodh që puna nuk mbaron as pas orës 18.00. E gjithë kjo ndodh për shkak të vullnetit që kanë, nuk ka nevojë t’i thërrasin”, shton Diana.
Teksa Diana tregonte për 5 shkurtin, herë pas here ndërhynin prindërit dhe mësuesi Bilall, të cilët donin të siguroheshin që Diana tregon të gjithë historinë krenare të tyre.
“Të gjithë dhurojnë gjak, nuk ka familje që të paktën një person të mos ketë dhuruar, jemi mobilizuar me këta të dy {Memeti dhe Nazmijen}, në këtë ode dhe pastaj në shkollë, unë kam listën e të gjitha kohërave që kanë dhënë. Kur dikush nga Ratkoci ka nevojë për gjak, ai tashmë në spital ju thotë se është nga Ratkoci dhe nuk ka nevojë të presin, sepse ata e dinë se sa na dhurojnë”, tha Bilalli.
Nuk është rastësi që data 5 shkurt është zgjedhur për të dhuruar gjak, edhe pse të shumtë janë kritikat nga mërgata e fshatit që duan të jenë pjesë e këtij rituali të përvitshëm.
Por, ata kanë një arsyetim të cilën e theksojnë edhe gjatë intervistës për Nacionale.
“Data që ka fshati Dejnë është 5 janar, ndërsa ne e kemi 5 shkurt, sepse gjatë verës merremi me bujqësi dhe kemi shumë punë, ka qenë më e lehtë të mbledhim gjakun gjatë verës e ta dhurojmë dimrit”, tha Mehmeti.
Ratkoci tashmë është bërë një shembull që po kopjohet edhe nga fshatrat përreth.
“Disa fshatra përreth kanë filluar të dhurojnë gjak në komunitetet e tyre, ku janë mbledhur nga imamët, mësuesit apo kryetarët e fshatrave”, tha Bilall Hoti.