Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i ka bërë thirrje Shqipërisë që në vigjilje të samitit “Ballkani i Hapur” në Tiranë ta dënojë sjelljen e Serbisë për mohimin e masakrës në Reçak, në të cilën forcat serbe vranë civilë të pafajshëm shqiptarë.
Berisha ka thënë se angazhimi shtetëror nga ana e Serbisë për realizimin e një dokumentari mbi tragjedinë e Reçakut, ku ata pohojnë që kjo masakër është falsifikim i historisë, tregon që revizionizmi i historisë nga shteti serb, krahas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, po merr përmasa të rrezikshme për paqen dhe pajtimin në rajon.
“Si ish-epror i UÇK-së dhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, në vigjilje të samitit të radhës të “Open Balkan” në Tiranë, e ftoj shtetin shqiptar që të dënojë këto sjellje të rrezikshme revizioniste. Revizionizmi i historisë e pengon pajtimin, e pengon dialogun, e pengon bashkëpunimin rajonal si dhe i hap rrugë një konflikti të ri”, ka thënë Berisha.





