Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar sot ndaj një rasti të hedhjes ilegale të mbeturinave në fshatin Dobërdelan, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për autorin dhe duke kërkuar njëkohësisht bashkëpunim për tejkalimin e situatës me menaxhimin e mbeturinave në komunë.
Sipas Muharremajt, zona në fjalë është pastruar disa herë, por persona të papërgjegjshëm po vazhdojnë të hedhin mbeturina inerte në mënyrë të paligjshme. Ai bëri të ditur se autori tashmë është identifikuar nga institucionet përkatëse dhe është ftuar që menjëherë t’i largojë mbeturinat, në të kundërtën do të përballet me gjobë sipas ligjit.
Kryetari theksoi se situata me mbeturinat mbetet shqetësim i përbashkët, jo vetëm në qytet por edhe në fshatra, duke kërkuar ndërgjegjësim dhe përgjegjësi më të madhe nga qytetarët.
Duke folur për zhvillimet e fundit, ai falënderoi Asamblenë Komunale për miratimin e ndryshimit të tarifës për shërbimin e mbeturinave, por shtoi se kompania “Ekoregjioni” ka shprehur shqetësim se tarifa prej 6 eurosh nuk është e mjaftueshme për përballimin e kostove.
Muharremaj theksoi se kjo situatë nuk duhet të politizohet, duke nënvizuar se të gjitha subjektet politike kanë për qëllim të mirën e qytetarëve. Ai vlerësoi punën e deritanishme të “Ekoregjionit”, duke e cilësuar si të shkëlqyer dhe bëri thirrje për mbështetje në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Komuna jonë është shtëpia jonë”, u shpreh ai, duke ftuar për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe akterëve politikë për të analizuar situatën dhe për të marrë vendime të përbashkëta.
Në fund, kryetari i Suharekës kërkoi nga Asambleja Komunale që të vazhdojë diskutimet dhe të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje të re, në mënyrë që shërbimet për qytetarët të vazhdojnë pa ndërprerje.