LAJME

Haziz Hodaj reagon ndaj zhvillimeve në LDK: I keni lodhur njerëzit dhe ua keni zbehur shpresën

Haziz Hodaj reagon ndaj zhvillimeve në LDK: I keni lodhur njerëzit dhe ua keni zbehur shpresën
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Qershor 2026, 08:10

Kuvendari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Hodaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve dhe përplasjeve të fundit brenda partisë, duke u bërë thirrje zyrtarëve të LDK-së që të ndalin akuzat dhe përçarjet mes vete.

Përmes një reagimi publik, Hodaj tha se anëtarët dhe mbështetësit e LDK-së nuk ua kanë dhënë besimin për t’u akuzuar, sharë dhe nënçmuar mes vete.

“Njëri i bie thumbit, tjetri patkonit, njëri akuzon paradite, tjetri ia kthen pasdite. Njëri thotë se nuk bën gjenerata e vjetër, tjetri se nuk bën e reja”, është shprehur ai.

Hodaj theksoi se anëtarësia e LDK-së është e lodhur nga situata e krijuar brenda partisë dhe se përçarjet e vazhdueshme po ua zbehin shpresën mbështetësve të saj.

“Si veprimtar i terrenit, me sinqeritetin më të madh po ua them: i keni lodhur njerëzit, ua keni topitur nervat dhe ua keni zbehur shpresën. Pyetja që dëgjohet gjithandej është: Deri kur kështu?”, ka deklaruar ai.

Kuvendari i LDK-së ka bërë thirrje për bashkim dhe fokusim në forcimin e partisë, duke theksuar se energjia duhet të orientohet në punë dhe jo në përçarje.

Sipas tij, anëtarësia pret maturi, respekt dhe përgjegjësi, ndërsa vetëm përmes unitetit mund të rikthehet besimi dhe të ecet përpara si subjekt politik.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika