Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se ka ardh koha që Kosova të hyjë në fazën e normalizimit të pandemisë me COVID-19. Haziri ka kërkuar edhe që paralelisht me vaksinimin të filloj edhe lehtësimi i masave antiCOVID-19.
Megjithëkëtë, Haziri në konferencën për media ka thënë se Qeveria Kurti 2 nuk e ka guximin që të veproj në këtë drejtim dhe se kjo qeveri nuk ka një plan mbi menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Kërkoj zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së, në anën tjetër qeveria e ka për obligim me rishiku. Ka ardh koha me hy në fazën e normalizimit. Faza e normalizimit nuk është akt por proces. Normalizimi nga pandemia është një proces i cili paralelisht me vaksinimin duhet të filloj edhe lehtësimi. Hapja e restoranteve, lejimi i ahengjeve dhe dasmave me kufizime dhe mbikëqyrje, rikthimi i teatrove, rikthimi i shikuesve në stadium me një numër të caktuar por në një numër shumë më të madh dhe besoj që do të jetë hapi i parë drejt normalizimit. Por kjo qeveri nuk e ka guximin me vepru në këtë drejtim sepse edhe më tutje po shihet që nuk ka plan detaj mbi menaxhimin de drejtpërdrejt të pandemisë dhe realizimit të masave dhe kërkesave që kërkohen nga institucionet për ruajtjen e shëndetit publik.”, tha Haziri.





