Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast ka takuar auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca, si dhe stafin e këtij institucioni.
Në një postim në Facebook pas vizitës, Haxhiu theksoi se auditimi i pavarur është një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies institucionale.
Ajo ka vlerësuar lartë punën profesionale të ZKA-së dhe rolin e saj në forcimin e transparencës në institucionet publike.
Gjatë takimit, Haxhiu bën të ditur se diskutuan për njohjet ndërkombëtare të ZKA-së, bashkëpunimin me Prokurorinë në trajtimin e gjetjeve të auditimit, si dhe ndryshimet ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë institucionale.
“Do të vazhdoj të mbështes çdo përpjekje që forcon integritetin, transparencën dhe menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike.” – theksoi në fund ajo.