Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje mekanizmave ndërkombëtarë që çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ta trajtojnë me prioritet në raport me Serbinë.
Përmes një shkrimi në Facebook të enjten, Haxhiu ka thënë se vërejtjet përfundimtare të Komitetit të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) ndaj Serbisë konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh nga shqiptarët në Luginë dhe nga institucionet e Kosovës.
Ajo theksoi se Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës së miratuar më 24 prill 2026 për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, tashmë e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore.





