LAJME

Haxhiu takohet me kryeministrin e Çekisë, kërkoi mbështetjen e tij në rrugën evropiane të Kosovës

Haxhiu takohet me kryeministrin e Çekisë, kërkoi mbështetjen e tij në rrugën evropiane të Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Qershor 2026, 11:56

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE, Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit, u.d. presidentja Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Në takim thuhet se u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit.

Siç bëhet e ditur, Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen e tij edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.

“U.d. presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon” – thuhet në njoftim.

Në fund, bëhet e ditur se Haxhiu riafirmoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika