LAJME

Haxhiu sot cakton datën e seancës konstituive

Haxhiu sot cakton datën e seancës konstituive
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Korrik 2026, 07:04

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot do ta caktojë datën për mbajtjen e së seancës konstituive të legjislaturës së re.

Ajo ka thirrur një konferencë për orën 11:00.

Haxhiu, e cila si kryeparlamentare ka edhe përgjegjësinë që bashkë me përbërjen e kryesisë së legjislaturës së shkuar ta përgatisë seancën konstituive, ka thënë se arsyeja e caktimin të datës thuajse në fund të afatit kushtetues është për shkak se me konstituim të kuvendit nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

“Kam vlerësuar që është e rëndësishme që t’u japim hapësirën dhe kohën e nevojshme partive politike, në mënyrë që të arrijnë deri te një marrëveshje për ta zgjedhur presidentin ose për ta tejkaluar situatën që e kemi për momentin. Prandaj, ajo do të mbahet në javën e parë të muajit gusht edhe të premten besoj do ta bëj njoftimin se kur saktësisht do të mbahet kjo seancë”, ka thënë të mërkurën e kësaj jave Haxhiu.

Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. E para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike kanë thënë se do ta mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili paralelisht iniciativës kundër tij, shprehu gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit.

Afati i 7 gushtit për konstituimin e Kuvendit buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”./koha.net/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika