Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se të dielën në Prishtinë ka pritur ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Në pritjen e organizuar, i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se gjatë takimit i ka falënderuar diplomatët për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në përfaqësim të Kosovës.
Ajo ka thënë se puna e diplomatëve shpesh nuk jep rezultate të menjëhershme dhe kërkon durim, këmbëngulje dhe komunikim të vazhdueshëm.
Haxhiu ka theksuar gjithashtu se ndryshimet e shpejta të interesave dhe aleancave ndërkombëtare kërkojnë punë të vazhdueshme diplomatike.
“Kur interesat dhe aleancat ndryshojnë kaq shpejt, në diplomaci nuk mjafton reagimi i çastit. Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre” – ka deklaruar ajo.
Sipas Haxhiut, për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, vendi ende lidhet kryesisht me luftën, shpalljen e pavarësisë apo zhvillimet e fundit të raportuara në media.
“Për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, Kosova ende lidhet me luftën, me shpalljen e pavarësisë apo me lajmin e fundit që kanë parë. Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, ajo ka shprehur mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, duke përmendur sakrificat që bëhen gjatë shërbimit të tyre jashtë vendit.
“Shpreha edhe mirënjohjen time për familjet e gjithsecilit, fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë” – u shpreh ajo.