LAJME

Haxhiu pretendon se deputetë po kërcënohen për të mos votuar për Trustin

Haxhiu pretendon se deputetë po kërcënohen për të mos votuar për Trustin
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Maj 2022, 18:55

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se ka presion ndaj deputetëve brenda Kuvendit të Kosovës për të mos votuar tërheqjen e mjeteve nga kursimet pensionale në Trust.

I ftuar në emisionin 60 Minuta në KTV-së, të enjten, ai tha se ka edhe kërcënime ndaj deputetëve të komuniteteve.

Haxhiu ka përmendur deputeten e komunitetit boshnjak, Duda Balje, për të cilën ka thënë se më parë është deklaruar pro projektligjit, por tani për shkak të presionit dhe kërcënimeve, që sipas tij i ka marrë se mund të largohet nga pozita që ka, ka ndryshuar qëndrim.

Ajo abstenoi në komision.

“Mua më duket një refuzim i paarsyeshëm dhe i palogjikshëm, më shumë në aspekt inatçor sesa përmbajtjesor. Është bërë një prolongim i qëllimshëm i këtij projektligji edhe për trajtim në Komsionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Do të duhej të vinte në seancë jo më larg se më 25 maj për shqyrtim, por tek dje është trajtuar në komisionin parlamentar. Ky prolongim ka ndodhur me qëllim që t’u bëhet presion deputetëve që mos ta votojnë. Ka pasur deklarime të deputetes Duda Balje që është pro projektligjit. Ka pasur presione, ajo ka thënë se deri në orët e vona të mbrëmjes ka diskutuar me grupin parlamentar multietnik, pasi janë kërcënuar që nëse e mbështesin edhe mund të largohen nga Qeveria”, ka thënë ai.

Haxhiu ka ftuar deputetët që të mos bien në ndikim të, siç i quan ai, presioneve politike dhe të votojnë të lirë.

“Të gjithë 120 deputetët po i ftoj, sepse jemi aty nga votat e qytetarëve dhe duhet të punojmë në interesin e tyre. Kërkesa e qytetarëve është që të votohet projektligji për trustin që mundëson tërheqjen nga 10 deri në 30 për qind të kursimeve pensionale”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së ka thënë se Kosova nuk duhet të bie në nivelin ku ekonomia dhe zhvillimi i saj të varet nga asistenca sociale.

“Nuk jemi një vend komunist ku secili do të shikojë sa para do t’ia japë qeveria”, ka shtuar ai.

Haxhiu ka thënë se kërkesa e PDK-së për tërheqjen e 10 deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti është bërë për shkak të nevojës së të gjithë qytetarëve, ndërsa ata që nuk kanë kursime, sipas kërkesës duhet të mbështeten nga buxheti i shtetit.

Ai ka thënë se me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, dëmtohen qytetarët individualisht, në asnjë formë Trusti, ndërsa ka shtuar se qytetarët po kërkojnë mjetet e tyre në kohë krize dhe nuk po kërkojnë rimbursim.

“Ne e dimë që jo të gjithë kanë tërhequr para nga Trusti sepse nuk ka pasur nevojë në vitin 2020, dhe atëherë më pak se 60 për qind kanë tërhequr mjete nga Trusti, edhe sot nuk është e obligueshme të tërhiqen mjetet nga Trusti, i tërheq ai që ka nevojë. Nëse të gjithë e tërheqin trustin bazuar në propozim, shuma arrin në 480 milionë euro”, ka thënë ai.

Qeveria është shprehur kundër një tërheqje tjetër të kursimeve, pasi sipas saj, ato janë për moshën e pleqërisë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika