Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu ka kundërpërgjigjur opozitës në Kuvend lidhur me gjendjen në veri. Haxhiu ka thënë deklaratat e PDK-së dhe LDK-së se nuk ka prokurorë e gjyqtarë në veri janë keqinformim.
Ajo ka sfiduar Abelard Tahirin e PDK-së që të japë dorëheqje nëse në veri vërtetë nuk ka prokurorë e gjyqtarë, siç ka thënë ai.
“Me dalë shefi i GP të PDK dhe LDK dhe të thotë që nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë në veri shumë pak është me thënë se ka keqinformim. Po i inkurajoni dhunuesit se një dhunues kur të dëgjon shefin e grupit parlamentar të PDK-së e LDK-së që thotë se nuk ka prokurorë e gjyqtarë në veri ai kryen vepra penale pa problem se e di që nuk e ndjek ligji. I nderuar z. Tahiri a je në gjendje me dhanë dorëheqje nëse në veri ka prokurorë e gjyqtarë. Jam e gatshme me ty e Arbenin me shku në prokurori e gjykatë edhe me pa a po punohet aty janë prokurorët dhe gjyqtarët prandaj mos shpifni. Nuk po bëjmë asgjë më shumë vetëm po e mbrojmë vendin tonë”.
Haxhiu ka theksuar se Kosova për herë të parë ka pozicion të dinjitetshëm karshi Serbisë. Ka ftuar opozitën që të qëndroj krah Qeverisë në pozicionin kundër Serbisë.
“Për herë të parë Kosova ka pozicion të dinjitetshëm në raport me Serbinë, diçka që nuk e kemi parë më parë. Për herë të parë tre krerët e institucioneve janë në linjë të njëjtë dhe këtu do të dëshiroja të bashkohej edhe opozita. Sepse nuk do të dëshiroja dallime në qëndrimet përballë Serbisë. Sa herë ka pasur kërkesë nga Beogradi e Vuçiqi asnjëherë nuk iu keni thënë jo, gjithmonë ju keni thënë po. Po të kishit vullnet t’i thoshit jo marrëveshjeve, sot nuk do të përballeshim me këtë situatë. Sot ne po i ndiejmë pasojat e më pas fusnota e të tjera”.
Ndërsa Tahiri e ka quajtur Haxhiun “ministre e sanksionuar nga SHBA-ja”.
“E nderuar ministre e sanksionuar e SHBA nuk e di a ka gjobë më të padinjitetshme se me u sanksionu prej gjobave të Amerikës. Nuk po të zë vendi vend, del flet akuzon.. ne po kërkojmë angazhimin e prokurorisë në arrestimin e Veselinoviqit e Radojçiqit. Ju keni krijuar ambient të pafavorshëm për Republikën e Kosovës. Ne deshëm të ju kursejmë pak se nuk është mirë as për mua që të flas me një ministre që është e sanksionuar nga bota perëndimore. Marrëdhënia me SHBA për neve shtetndërtuesit është shumë e rëndësishme. Po të isha në pozitën tënde do të jepja dorëheqje, me u sanksionu prej SHBA-së dhe me vazhdu punën e ministres së drejtësisë është marre”.
Tahiri ka thënë se Qeveria e ka përgjegjësi ta mbajë sovranitetin që e kanë krijuar qeveritë paraprake.
“Ne kishim dashtë që SHBA me i vë sanksione Vuçiqit dhe ministrave të Serbisë por çka po ndodhë po i vënë sanksione këtij e ministres së MD-së që është turp i madh. Ju duhet të jeni në krye të përgjegjësive. Mundeni me u fsheh pas zënkave të vogla. Ne jemi ata që e kemi përzënë Veselinoviqin e Radojqiqin. Ne jemi ata që e kemi ngrehë Gjuriqin zhag në Prishtinë. Jemi ata që e kemi shtri sovranitetin, sot ju e keni përgjegjësinë pikërisht me e mbajtë këtë gjendje që e kemi krijuar ne”.