Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë historike dhe juridike të këtij opinioni, i publikuar më 22 korrik 2010, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“16 vjet nga opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Republikës Kosovës. Sot shënohen 16 vjet nga publikimi i opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Më 22 korrik 2010, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.





