Haxhiu për qeveritë e kaluara: E mësuan keq Beogradin që t’i thonë “po” për gjithçka
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka fajësuar qeveritë e kaluara se e kanë mësuar keq Serbinë, duke i thënë “po” për gjithçka.
Haxhiu në një konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Qeveria aktuale po i vuan pasojat e veprimeve të qeverive të kaluara në raport me Beogradin.
“Qasja qe kanë pasur qeveritë e kaluara tani është problem edhe për ne sepse i kanë mësuar keq, çfarëdo që kanë thënë Serbia dhe Beogradi ata kanë thënë “po”, prandaj është sfidë derisa ne ta kemi shtrirjen e sundimit të Ligjit në secilin cep të Kosovës. Për herë të parë pozicioni i Kosovës në negociata me Serbinë është i dinjitetshëm sepse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, nuk ka lejuar referendumin dhe po ashtu tani jemi duke i vendosur masat e reciprocitetit që i bën secili vend normal”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, duke folur për djegien e dy veturave deri tani në veri të cilat kishin targa RKS, Haxhiu ka thënë se këto raste nuk do të ndalen së ndjekuri.
Haxhiu ka folur edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, duke thënë se ata nuk mund të rikthehen në punë .
“Personat të cilët dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem. Pasi është goditje për sistemin e drejtësisë që një prokuror apo gjyqtar të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga Vuçiqi”, është shprehur ministrja Haxhiu.