Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e nisi seancën e sotme parlamentare duke mbajtur fjalim e duke dënuar deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, duke i cilësuar ato si të rënda, përçarëse dhe të papranueshme.
Ajo bëri të ditur se ka ndërhyrë gjatë fjalës së tij në seancë, duke theksuar se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Haxhiu ritheksoi se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe shprehu shpresën që vendimi i gjykatës do të korrigjojë, siç tha ajo, padrejtësinë e Prokurorisë së Specializuar.
“Nuk do të lejoj që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Le të debatojmë me ide, por jo me qëndrime që cenojnë luftën çlirimtare dhe ata që kontribuuan në kohërat më të vështira”, deklaroi ajo, duke shtuar se lufta çlirimtare ishte e pastër dhe çdo tentim për ta zbehur është i papranueshëm.
Kryeparlamentarja reagoi edhe ndaj gjuhës seksiste të përdorur ndaj nënkryetares Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të papranueshme. Ajo theksoi se nuk do të lejohet normalizimi i një gjuhe të tillë, sidomos në institucionin më të lartë përfaqësues.





