Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka pritur në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku është diskutuar për procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet aktuale në vend.
Sipas saj, rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është orientim strategjik dhe vullnet i qytetarëve.
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë” – theksoi Haxhiu.
Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar agjenda evropiane, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat dhe stabiliteti rajonal.
“Diskutuam për agjendën evropiane të Kosovës, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat, stabilitetin rajonal dhe rëndësinë e konsensusit kombëtar për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian” – ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar gjithashtu orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Ky orientim i qartë i qytetarëve tanë është forcë për vendin dhe bazë e sigurt për rrugën tonë evropiane” – ka thënë Haxhiu.