U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e vendit po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu ka falënderuar institucionet e përfshira në këtë proces, duke përmendur Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Komisionin për Personat e Zhdukur me Dhunë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të gjitha strukturat tjera që po angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Sot, bashkë me ministren Bogujevci, dhe me ministrin Hoti jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka kërkuar që institucionet dhe mediat të tregojnë kujdes në mënyrë që të ruhet integriteti i hetimeve, duke theksuar ndjeshmërinë e procesit dhe nevojën për respekt ndaj familjeve që ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
“Ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.
“Personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë janë plaga më e madhe me të cilën përballemi edhe sot. Edhe pas më shumë se 27 vitesh nga përfundimi i luftës, ne vazhdojmë të përballemi me pasojat e saj”, ka thënë Haxhiu.
Tutje ajo theksoi se , përderisa institucionet po punojnë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Kosova vazhdon të përballet edhe me mohim të krimeve nga zyrtarët në Serbi.
“Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ajo.
Haxhiu u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për hapjen e arkivave të saj. Ajo tha se nuk ka problem nga ana e institucioneve të Kosovës, por se Serbia nuk po jep informacione dhe nuk po i hap arkivat.