Ushtruesja e Detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Bëhet e ditur se gjatë takimit ajo ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat e familjeve që ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Haxhiu ka theksuar se institucionet e vendit kanë detyrim të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por pengesa kryesore në këtë proces, sipas saj, mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.
“Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës. Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, ka thënë ajo.
Policia ka njoftuar të mërkurën se eshtrat e së paku dy personave që besohet se u përkasin të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë janë gjetur të martën në Mitrovicë.
“Me urdhëresë të gjykatës është bërë gërmimi dhe janë gjetur eshtrat e së paku dy personave të zhdukur gjatë kohës së luftës së fundit për të cilët besohet se i përkasin listës kombëtare të personave të zhdukur me forcë gjatë periudhës së luftës 1998-1999”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Pas përfundimit të procedurave në vendin e ngjarjes mbetjet e eshtrave janë sjellë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjekësor dhe konfirmim të identitetit përmes analizës së ADN-së.