LAJME

Haxhiu mbështet Kosovën para ndeshjes me Bullgarinë

Haxhiu mbështet Kosovën para ndeshjes me Bullgarinë
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Prill 2026, 16:04

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka thënë futbollisteve të Kombëtares së Kosovës se do të gjejnë mbështetje tek ajo vazhdimisht, pasi suksesi i tyre është sukses i shtetit.

 

Haxhiu ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, në prag të ndeshjes kundër Bullgarisë.

Ajo është pritr nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj futbollit të vajzave.

Ademi ka vlerësuar lart paraqitjet e deritashme të “Dardaneve”, duke i cilësuar ato si krenari për vendin.

“Vajzat tona me përkushtimin dhe rezultatet e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve. Uroj që me këtë formë të vazhdojnë edhe në ndeshjet e ardhshme”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, Haxhiu ka përgëzuar futbollistet dhe stafin teknik për punën dhe angazhimin, duke theksuar rëndësinë e suksesit të tyre për shtetin.

“Ju, së bashku me trajnerin tuaj, jeni duke e lartësuar emrin e shtetit tonë. Jeni frymëzim për shumë vajza në Kosovë dhe përtej, pasi sukseset tuaja tashmë janë vërejtur edhe ndërkombëtarisht. Ju dëshiroj shumë fat dhe sukses në ndeshjen e sotme. Do të vazhdoj t’ju mbështes në vazhdimësi, sepse suksesi juaj është edhe sukses i shtetit”, ka theksuar ajo.

Në emër të ekipit, kapitenia Erëleta Memeti e ka falënderuar Haxhiun për vizitën dhe mbështetjen, duke e cilësuar atë si motivim shtesë për skuadrën.

“E vlerësojmë shumë këtë vizitë. Për ne është motivim shtesë, pasi ne nuk e veshim këtë fanellë vetëm për veten, por për gjithë vendin dhe për të gjithë ata që na mbështesin në Kosovë dhe diasporë. Është nder për ne ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë”, është shprehur Memeti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika