Ministrja e Drejtësisë Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e parandalimit dhe luftimit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke veçuar veprimet konkrete të Kosovës.
“Republika e Kosovës si pjesë e agjendës globale në luftën kundër Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm ka vendosur në objektivat e saja masa të shumta institucionale për parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një dukuri që nuk ka lënë pa prekur asnjë nga vendet tona, por edhe shumë më gjerë”, tha Haxhiu.
Ajo mori pjesë në konferencën regjionale “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore – sfidat dhe e ardhmja”, e cila u mbajt në Bosnje Hercegovinë.
Më tej, Haxhiu shprehu përkushtimin e saj dhe të Kosovës në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Terrorizmit (2018-2023) e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së kundër terrorizmit, i cili dokument parasheh intervenimin institucional nga mekanizmat përgjegjës” theksoi ajo, duke shtuar edhe krijimin e Departamentit për Rintegrim si mekanizmi përgjegjës për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.