Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se Komisioni i Venecias ka pëkrahur reformat që pritet të ndodhin në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ajo ka shkruar në faqen e saj në Facebook se Komisioni ka konfirmuar se reformat në KPK janë të nevojshme.
Njoftimi i plotë:
Mbështetje e Komisionit të Venecias për reformimin e sistemit prokurorial
Sapo dolëm nga takimi në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias ku u diskutua nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndryshimet në këtë projektligj janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026, e cila tashmë ka filluar të zbatohet.
Në përgjigje të kërkesës tonë, Komisioni i Venecias konfirmoi nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial dhe ofron rekomandime specifike për plotësimin e mëtejshëm të projekt-ligjit, për të sigurar përfaqësim të balancuar.
I mirëpresim këto rekomandime. Grupi Punues do të vijojë punën në projekt-ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në përputhje me rekomandimet në fjalë. Reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.