LAJME

Haxhiu kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat për BE

Haxhiu kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat për BE
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Qershor 2026, 20:04

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Tivat të Malit të Zi.Në një intervistë për RTK pas samitit, ajo ka theksuar që Kosova duhet të avancojë sa më shpejt në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar marrjen e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për në Bashkimi Evropian.

Ajo tha se në këtë samit ka paraqitur qëndrimin e Kosovës për rëndësinë e anëtarësimit në BE dhe ndikimin e tij për stabilitetin dhe demokracinë në rajon.

“Në këtë samit, paraqita qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me rëndësinë që ka për Republikën e Kosovës anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, pra përveç Republikës së Kosovës. Theksova se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një proces teknik, por është një proces që ndërlidhet me sigurinë, paqen, demokracinë, por edhe me dinjitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Bashkimit Evropian”, tha Haxhiu

Haxhiu ka përmendur gjithashtu çështjen e sulmit në Banjskë, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe dorëzimin e përgjegjësve.

“Në këtë samit, theksova rastin e Banjskës, për faktin se ju e dini shumë mirë që gjatë kohës sa Kosova ka qenë në procesin e negociatave me Serbinë, ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë. Theksova rëndësinë e drejtësisë dhe dorëzimit të kriminelëve për sulmin terrorist në Banjskë. Po ashtu, shpreha përkushtimin e Republikës së Kosovës në raport me adresimin e të gjitha obligimeve që ne kemi si shtet. Theksova se është shumë e rëndësishme që ta marrim sa më shpejt pyetësorin, po ashtu që ta marrim sa më shpejt statusin e vendit kandidat dhe pastaj të hapen negociatat. Ne kemi theksuar në vazhdimësi se nuk mund të ketë proces të negociatave për sa kohë Serbia vazhdon që t’i mbajë terroristët në territorin e saj, për sa kohë ekziston letra e Bërnabiqit dhe nuk është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit apo Marrëveshja e Brukselit Prandaj, çfarëdor procesi negociatash me Serbinë lidhet paraprakisht edhe me proceset që i përmenda.”, tha ajo për RTK.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ekziston pajtim që përgjegjësit e krimeve duhet të dalin para drejtësisë dhe se Kosova vazhdimisht ka kërkuar nga shtetet partnere dhe nga Bashkimi Evropian që të ushtrohet presion mbi Serbinë për dorëzimin e tyre.

“Së pari, sot ne kemi pasur rastin të takohemi me shumë prej liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në takimet e ndara dhe të tjera kemi biseduar për të gjitha këto çështje. Ajo që është e rëndësishme është se ka një pajtim që kriminelët duhet të dalin para drejtësisë. Ne, në vazhdimësi, u kemi kërkuar këtyre shteteve që të bëjnë presion, e posaçërisht Bashkimit Evropian, që të bëjnë presion mbi Serbinë për dorëzimin e kriminelëve”, tha ajo

Haxhiu theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave të brendshme, duke përfshirë drejtësinë dhe ekonominë, si dhe nevojën për funksionimin e institucioneve të vendit.

“Ajo që është e rëndësishme është që Republika e Kosovës të fokusohet te reformat që ka para vetes. Përveç reformave në drejtësi, në çështje ekonomike dhe të tjera, e rëndësishme është që sa më parë Kosova të arrijë ta konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, ta votojë Qeverinë dhe ta zgjedhë Presidentin, sepse në takimet që ne kemi pasur, natyrisht që mungesa e institucioneve stabile paraqitet në vazhdimësi. Pavarësisht dallimeve që ne mund të kemi me partitë politike në Republikën e Kosovës për çështje të ndryshme, është e rëndësishme që të jemi bashkë në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropia” tha ajo.

Në fund ajo theksoi se procesi i integrimit evropian është sfidues dhe nuk kërkon privilegje apo rrugë të shkurtra, por vlerësim të përpjekjeve të Kosovës në zbatimin e reformave./RTK/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika