LAJME

Haxhiu i kërkon Serbisë t’i transferojë në Kosovë Mehmetajn dhe Dulën

Haxhiu i kërkon Serbisë t’i transferojë në Kosovë Mehmetajn dhe Dulën
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Mars 2023, 19:48

Ministrja e Drejtësisë, iu ka kërkuar autoriteteve serbe që t’i transferojnë në Kosovë Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, që po mbahen në burg për krime lufte. Në letrën drejtuar Ministrisë serbe të Drejtësisë, Haxhiu tha se Mehmetaj e Dula janë qytetarë të Kosovës që duhet të jenë nën mbrojtjen e Kosovës, ndërsa procesi i tyre gjyqësor, sipas ministres ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Ndjekja e krimeve të luftës ndërlidhet me juridiksionin, e ky i fundit me vendin ku krimi i pretenduar ka ndodhur. Pasiguria juridike që krijohet në rastin e ndjekjes së krimeve të luftës jashtë juridiksionit, konfirmohet edhe nga raportet ndërkombëtare që trajtojnë këtë temë. Për këtë, mbajtja e mëtejme e z.Mehmetaj dhe z.Dula në burgjet e Serbisë, kur ndjekja penale sjellë pikëpyetje mbi cilësinë dhe të vërtetën mbi krimet e pretenduara, përfshirë këtu shqetësimet mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, vë në pikëpyetje përpjekjet për të nxjerrë dritë mbi të vërtetën”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar homologes serbe, Maja Popovic.

Sipas Haxhiut, rastet e Mehmetajt dhe të Dulës do të trajtohen në bazë të Kushteturës së Kosovës si dhe ligjeve në fuqi.

Nezir Mehmetaj është arrestuar në janarin e 2020-s nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdar. Ai gjendet në paraburgim me pretendimin se ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në fshatin Rudicë të Klinës.

Prokuroria serbe kishte ngritur aktakuzë ndaj tij, por më pas ishte kthyer lënda për plotësim.

Ndërsa, Petrit Dula ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata e Lartë e Beogradit. Ai u dënua për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në 1999-n.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika