LAJME

Haxhiu i kërkon Metsolës mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Haxhiu i kërkon Metsolës mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Nëntor 2026, 19:35

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar sot në Bruksel me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nga e cila ka kërkuar angazhim për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Haxhiu, e cila po merr pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin, ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar Metsolën për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.

“E falënderova për ftesën dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën. Vlerësova gjithashtu angazhimin e saj personal që zgjerimi i BE-së të mbetet në qendër të agjendës politike evropiane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet që nga dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, duke theksuar se qytetarët meritojnë përparim konkret në këtë proces.

“Vendi ynë është plotësisht i përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa qytetarët tanë janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit në gjithë rajonin. Ata meritojnë të shohin përparim konkret në rrugën drejt BE-së. Prandaj, i kërkova Presidentes Metsola të angazhohet që Këshilli i BE-së ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës, siç ka kërkuar edhe vetë Parlamenti Evropian”, ka deklaruar Haxhiu.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, përmes Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit dhe shkëmbimeve ndërmjet deputetëve dhe administratave të dy parlamenteve.

Haxhiu ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e Metsolës për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU).

“Kërkova gjithashtu mbështetjen e saj për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU), që është edhe bashkorganizator i kësaj konference. Presidentja Metsola u zotua se do të ndihmojë në këtë drejtim. Në fund, e ftova për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika