Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, derisa ka folur për mosemërimin e anëtarëve të KQZ-së, ka deklaruar se këtë çështje është dashur ta përfundonte ish-presidentja Vjosa Osmani.
Sipas saj, nuk është në rregull që një çështje që ka nisur më herët, të mbetet e papërfunduar.
“Një proces kushtetues që ka nisur më herët është dashur të përfundohet në mandatin e presidentes Vjosa Osmani siç është edhe kjo çështja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nuk mendoj që është në rregull që një proces që ka nisur më herët të jetë i papërfunduar. Do t’i trajtoj të gjitha çështjet që janë me prioritet. Sapo të kemi një analizë të të gjitha këtyre shkresave, aktgjykimeve e aktvendimeve natyrisht që do të veprojmë me kohë”, ka thënë Haxhiu pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu foli edhe për hapjen e faqes së re të Presidencës në rrjetet sociale. Ajo tha se llogaritë në rrjetet sociale nuk janë të individëve dhe se ato duhet të mbesin si trashëgimi.
“Me qëllim që ne t’i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me aktivitet e Presidencës jemi detyruar të hapim faqe të tjera. E di që dikujt i është dukur teknike, e di që është trajtuar si çështje që nuk ka nevojë për diskutim por edhe si kryetare e Kuvendit edhe si ushtruese e detyrës së Presidentes e kam për obligim të tregoj transparencë. Faqet zyrtare nuk janë të individëve, ato duhet të mbesin si pronë dhe trashëgimi e institucionit”, ka thënë Haxhiu.
Tutje për mbledhjen e Kryesisë ka thënë se pikat e propozuara të rendit të ditës të seancës së Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të premten, nuk u miratuan për shkak se e gjithë mbledhja u vijua me diskutimin që rezoluta e PDK-së për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës a të jetë pikë e parë e rendit të ditës, a e fundit.
Haxhiu deklaroi se ajo ka propozuar që kurdo që kjo pikë të jetë e gatshme, të sillet në Kuvend dhe të trajtohet pa qenë e përcaktuar si pikë e rendit të ditës mirëpo as ky propozim sipas saj nuk u mbështet.
“I gjithë diskutimi që nga fillimi i kësaj mbledhje ishte që rezoluta e përmendur më herët pra për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë a të jetë pikë e parë e rendit të ditës, a të jetë pikë e fundit të rendit të ditës. Pra për shkak se nuk pati dakordim për këtë çështje nuk arriti që rendi i ditës të miratohet sot. Bëra përpjekje maksimale që të gjindet një konsensus. Nuk pati dakordim sepse kishte një grup parlamentar siç ishte PDK-ja që insistonte që kjo të jetë pikë e parë dhe në anën tjetër nga LVV-ja që kjo të radhitet në fund të rendit të ditës. Unë propozova që kurdo që grupi që mblidhet e përfundon punën, të vijë në seancën dhe ne në çfarëdo pike që jemi e trajtojmë dhe nëse ka dakordancë e votojmë. Sot sërish kishte diskutime të njëjta dhe si rrjedhojë nuk u miratua rendi i ditës”, deklaroi Haxhiu.
Kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se në rend dite i kishte paraparë disa pika që ndërlidhen me katër marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk arritën të ratifikohen në seancën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit. Pastaj votimi i propozim-rezolutës për rritjen e çmimit të naftës që kishte një debat në seancën e kaluar. Zgjedhja e një anëtari jo-prokuror në KPK dhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë.