LAJME

Haxhiu e Kurti: Trashëgiminë që na lënë dëshmorët dhe heronjtë ta kemi si udhërrëfyes për shtetin

Haxhiu e Kurti: Trashëgiminë që na lënë dëshmorët dhe heronjtë ta kemi si udhërrëfyes për shtetin
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Qershor 2026, 10:07

Me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u mbajtën homazhe pranë monumentit të heroit të kombit Zahir Pajaziti, ku përfaqësues institucionalë theksuan rolin e figurave kryesore të historisë së luftës dhe rezistencës për liri.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se liria e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë dhe të shumëfishtë të rezistencës.

Sipas saj, trashëgimia e tyre duhet të shërbejë si bazë për forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e vendit, duke e parë lirinë si rezultat të sakrificës kolektive dhe qëndresës shumëvjeçare.

“Këta emra janë dëshmi se liria nuk erdhi nga një rrugë e vetme. Këta emra janë dëshmi se liria erdhi nga qëndresa dhe sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij. Nga urtësia dhe këmbëngulësia politike e presidentit Ibrahim Rugova, rezistenca e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, të cilit 28 vite burgim nuk ia zbehin dhe thyejnë besimin te liria. Nga guximi dhe trimëria e komandantit Zahir Pajaziti, por edhe nga gjaku i gjithë dëshmorëve të kombit. Trashëgiminë që na lënë dëshmorët dhe heronjtë tanë duhet ta kemi si udhërrëfyes si institucione që shtetin tonë ta bëjmë më të drejtë dhe më të fortë dhe më të denjë”, tha ajo.

Në këtë përvjetor, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerësoi se veprimet guerile të paraluftës dhe ngjarjet historike si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bënë të pakthyeshëm procesin e çlirimit.

Ai tha se çdo 12 qershor kujtohen brezat që kanë vuajtur dhe janë sakrifikuar gjatë periudhës së gjatë të okupimit.

“Aksionet guerile të paraluftës sikurse ato të komandantit Zahir Pajaziti dhe ngjarjet historike si Epopeja e UÇK-së e kanë bërë udhën e çlirimit të pakthyeshme. Çdo 12 qershor ne kujtojmë të gjitha brezat që u përpoqën, vuajtën dhe u sakrifikuan përgjatë okupimit të Kosovës nga Serbia afër 87 vite. Kjo u përmbyll me luftën e lavdishme çlirimtare dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Komandanti Zahir Pajaziti bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën dhe shokët e tjerë e dinin që liria e popullit, çlirimi i vendit, bashkimi dhe shteti, demokracia e republika nuk mund të bëhen pa e konsideruar se faktori i brendshëm është vendimtar dhe nismëtar. Prandaj ata shumë herët u organizuan që Kosova të çlirohet dhe të shporret armiku ynë, Serbia agresore dhe hegjemoniste. Sot Kosova e ka ushtrinë e fortë, policinë e aftë dhe së shpejti do të kenë edhe xhandarmërinë që të sigurojnë paqen dhe të garantojnë stabilitetin institucional”, shtoi ai.

Për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti bënë homazhe edhe në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ish-veprimtarit Adem Demaçi./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika