Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave, për shkak të dyshimit që në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën ose autoritetin zyrtar.
Të pandehurit janë zyrtarë të komunës së Prizrenit, shumica nga Drejtoria e Administratës.
Shefi i grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjes në Prizren, Karanfil Haxhillari thotë se kjo aktakuzë vërteton atë që Vetëvendosje në Prizren e ka thënë për katër vite.
“Kjo tregon qartë se komuna e Prizrenit që katër vite i ka manipuluar tenderat, i ka kurdisur tenderat dhe ka treguar një mostransparencë e cila në këtë avaz ka përfituar një klan i caktuar i PDK-së. Kjo aktakuzë e vërteton atë të cilën ne kemi thënë për katër vite rresht”, ka thënë Haxhillari.
Sipas aktakuzës, më datë 04.08.2022, në kohë të pacaktuar të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë për vlersimin e ofertave në tenderim, renovim dhe mirëmbajtjeve të objekteve të komunës së Prizrenit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke i mundësuar përfitim grupit të operatorit ekonomik.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlersimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.