Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një postim në faqen e tij në facebook ka kërkuar që të gjithë t’i respektojmë masat në parandalimi e virusit. Çdonjëri nga ne kemi obligim t’i respektojmë masat. Të mbajmë maskën, të ruajmë distancën fizike dhe higjienën personale.
Te dashur qytetarë,
Tani jemi në valën e re të pandemisë COVID-19 dhe numri i të infektuarve javën e kaluar ishte më i larti që nga fillimi i pandemisë. Vetëm dje u evidentuan 337 raste të reja me COVID-19 dhe 7 qytetarë humbën jetën për shkak të virusit.
Bazuar në statistikat zyrtare, Prizreni ka kaluar relativisht mirë deri më tani dhe në krahasim me komunat më të mëdha, ka më së paku të infektuar për kokë banori (5 për 1000 banorë). Por kjo duhet të na bëjë edhe më vigjilentë në respektimin e masave, ngase potenciali i përhapjes së virusit në komunën tonë është shumë i lartë.





