Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është i bindur se në Prizren do të fitojë pa balotazh dhe se po punohet në këtë drejtim.
Haskuka në Interaktiv të KTV-së ka thënë se zgjedhjet e 14 shkurtit kanë treguar se më nuk ka bastione dhe lidhshmëri të fortë mes qytetarëve e partive politike.
“Unë mendoj se me punën e bërë, por edhe me besimin që kemi te qytetarë, jemi duke punuar të fitojmë pa balotazh. Respektoj të gjithë, mos të respektoja nuk do të vija këtu. Në aspektin e saj se duhet analizuar kundërshtarin, e duhet kuptuar përparësitë e mangësitë. Në përgjithësi nuk kemi diçka të re. Qytetarët tash e kanë ndryshuar qasjen karshi këtyre gjërave. E kemi parë më 14 shkurt nuk ka më bastione e lidhshmëri shumë të fortë mes qytetarëve e partive politike. Pavarësisht si shkojnë lidhjet mendoj se do të fitojmë pa balotazh. Por edhe nëse shkojmë në raundin e dytë, nuk do të ndryshojë rezultati”, ka thënë Haskuka.
Në zgjedhjet e kaluara lokale ai kishte fituar mandatin e tij të parë si kryetar i Prizrenit, duke e mposhtur për pak më tepër se 200 vota kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj. Me të do të përballet edhe në zgjedhjet e 17 tetorit ndër të tjera. LDK-ja në anën tjetër ka kandiduar Anton Qunin për kryetar të Prizrenit.
“Kur kam fituar unë, resurset e mjetet në aspektin e kontrollit të komunës së Prizrenit të gjitha i kishte Totaj. Ka pasur koalicion me gjitha partitë, unë vetëm me një. Në fund fituam me balotazh. Në aspektin e personit, mendoj se nëse ai do të kishte pasur pretendime me kandidu për kryetar është dashur së pari të kandidojë për deputet më 14 shkurt, ta rrisë mbështetjen e pastaj për kryetar. Por nuk ka guxuar fare të futet për deputet më 14 shkurt”, ka thënë Haskuka.